Home / Histori / Beteja e Sfetigradit (korrik-1465): Ballafaqimi i tretë ushtarak i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu me renegatin Ballaban Pashë

Beteja e Sfetigradit (korrik-1465): Ballafaqimi i tretë ushtarak i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu me renegatin Ballaban Pashë

*Në muajin korrik të vitit 1465, Ballaban Pashë Badera erdhi përsëri në qytetin e Ohrit, me qëllim për ta rrënuar Arbërinë, në krye të 20.000 ushtarëve: 17.000 kalorës dhe 3.000 këmbësorë (1). Fillimisht vendosi të qëndrojë në pritje, duke analizuar situatën dhe nuk ndërmori asnjë sulm. Në sajë të epërsisë numerike, armatimit dhe nivelit të lartë përgatitor të ushtrisë turke, Ballabani shpresonte se do të gjente çastin dhe vendin më të përshtatshëm për t’u ndeshur me Gjergj Kastriotin-Skënderbeu dhe për të asgjësuar ushtrinë e tij. Me atë mënyrën e vet dinake, përpiqej ta lajkatonte sërish me dhurata, që ia dërgonte fshehurazi, duke i deklaruar se në të vërtetë ai nuk kishte ndonjë gjë të veçantë me të dhe se mbetej miku i tij besnik, por ishte i detyruar të zbatonte urdhërat e sulltanit (2). Duke i kërkuar që të mos e konsideronte si një njeri të padenjë për miqësinë dhe shoqërinë me të, dhuratat e dërguara nga Ballabani ishin disa kuaj të bukur dhe të shpejtë si dhe rroba prej ari dhe prej argjendi (3). Nga ana e vet, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e njihte si tradhëtar shumë të madh dhe duke qenë i informuar se ai vetë kishte ndërhyrë personalisht tek sulltani për ta dërguar në luftë kundër tij, jo vetëm që nuk i besonte, por për t’i treguar që nuk e çmonte aspak miqësinë me të dhe që nga ana tjetër nuk ishte as mosmirënjohës për dhurata të tilla, i kthej peshqeshe të shumta nga vendi ku Ballabani kishte lindur, si: thasë me mel dhe fara nga bimë të ndryshme bujqësore, parmenda, lopata, kazma, cfurqe dhe shumë vegla të tjera pune (4). Humanisti Dh. Frangu, si autori më i besueshëm, tek i cili është bazuar P. Giovio, saktëson se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk pranoi asnjë dhuratë nga tradhëtari Ballaban, por nga ana e vet i dërgoi disa dhurata simbolike dhe shumë sinjifikative që i mori nga fshati ku kishte lindur Ballabani, si: “thasë me grurë kokërrvogël me ngjyrë të verdhë, kuleçë, sende të lira, një plug, lesë, sopatë dhe dybek (5).” Pasi iu dërguan këto dhurata, Ballabani e kuptoi menjëherë dhe shumë qartë domethënien e gjithë këtyre objekteve dhe u ndje shumë herë më i fyer se sa rradhët e tjera. Murgu Anonim Rus, shton se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e porositi të dërguarin osman që t’i thoshte Ballabanit këto fjalë: “Eja te ne, në Atdheun tënd, që ta punojmë tokën si më parë dhe të mos merremi më me luftë! Mos e harro të kaluarën tënde prej bujku. Pas kësaj, do të dua më shumë nga ç’të kam dashur. Ama, të vërtetën dua ta shoh me sytë e mi (6).” Por Ballaban Pasha, i cili bënte pjesë në ata arbër të islamizuar që nuk iu bashkuan Gjergj Kastriotin-Skënderbeu gjatë kryengritjes së përgjithshme të vitit 1443, duke mos pranuar që të rikthehen në krishtërim, e shihte të ardhmen e tij vetëm si shërbëtor besnik i sulltan Mehmetit II Fatih. Ai ishte përgjegjësi kryesor për rrënimin e vazhdueshëm të Arbërisë së lirë: urdhëroi zjarrvënie dhe vrasje të panumërta dhe shkatërroi atdheun e tij, duke e mbytur në gjak kryengritjen e bashkëatdhetarëve të krishterë. Pasi qëndroi edhe disa ditë të tjera në qytetin e Ohrit, Ballaban Pasha vendosi të provojë fatin dhe marshoi në drejtim të Sfetigradit, ku ndodhej kampi i ushtrisë arbëre dhe baza ushtarake kryesore që përdorte Gjergj Kastrioti-Skënderbeu për të nisur inkursionet plaçkitëse në thellësi të zotërimeve osmane në Maqedoni. Në se analizojmë rrethanat historike të kohës, duhet të kujtojmë se kështjella dhe qyteti i Sfetigradit, së bashku me rrethina, ishin pushtuar nga osmanët që më 31 korrik 1448, por guximi i tepruar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu i kishte nxitur luftëtarët arbër që ta ndërtonin kampin në tokë armike dhe pikërisht ky vend, siç e theksuam më lart, shërbente si pikënisje për të sulmuar rajonet perëndimore të Perandorisë Osmane. Ai, jo vetëm e kishte përgatitur ushtrinë, por edhe kishte ripërtërirë brezin e komandantëve të vjetër e të lavdishëm, që kishin përfunduar tragjikisht në kthetrat e sulltan Mehmetit II Fatih. Menjëherë sapo u njoftua për lëvizjet e Ballaban Pashës, mori masat e nevojshme dhe organizoi ushtrinë arbëre për t’u përballur me këtë armik kaq të rrezikshëm. Për të mbajtur sa më lart moralin e ushtarëve, ai filloi të sillej me to sikur të ishte një Shenjtor bamirës dhe sipas M. Barletit: “Një pale prej ushtarëve të vet ai u dhuronte kuaj, një pale armë, të tjerëve rroba, disave pare dhe të tjerëve gjëra të tjera, me qëllim që t’ua ndizte zemrat për t’u hedhur më me zjarr dhe më me vrull në luftë (7).” M. Barleti shkruan se Ballaban Pasha u angazhua në luftime, pasi kishte qëndruar për tre muaj me rradhë në qytetin e Ohrit duke pritur rastin më të përshtatshëm për t’u ndeshur me kundërshtarin e vet (8). Ndërsa, sipas autorit, G. Biemmi, ai kaloi rreth një muaj ndërkohë që të dy ushtritë kundërshtare vëzhgonin njëra-tjetrën në distancë dhe përveç disa konfrontimeve të vogla midis reparteve kufitare, nuk u zhvillua ndonjë ngjarje që vlen për t’u përmendur deri më 18 qershor, kur Gjergj Kastriotin-Skënderbeun e njoftuan se e gjithë ushtria osmane po marshonte kundër tij në një ditë me vranësira dhe kur po frynte një erë e fortë (9). Duke qenë se ekspeditat ushtarake osmane të vitit 1465 nuk përmenden në burimet e tjera dokumentare të kohës që njohim deri më sot, përveçse në veprat e biografëve të Heroit tonë Kombëtar, si: Dh. Frangu, M. Barleti dhe G. Biemmi, Historiagrafia jonë zyrtare e ka përcaktuar kohën e zhvillimit të betejës së Sfetigradit në muajin korrik 1465. Në këtë betejë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu komandonte një ushtri që arrinte deri në 10.000 veta: 8.000 kalorës dhe 2.000 këmbësorë (10). Sipas C. C. Moore, i cili i referohet J. Lavardin, ushtria arbëre në betejën e Sfetigradit përbëhej nga 10.500 veta: 8.000 kalorës dhe 2.500 këmbësorë (11), por gjithashtu edhe autori C. Paganel përmend të njëjtat shifra (12). Sidoqoftë ne jemi të prirur t’i besojmë burimit autentik që lidhet me autorin bashkëkohës dhe aq më tepër kur mendohet se Dh. Frangu ka shumë mundësi të ketë qenë i pranishëm gjatë zhvillimit të këtyre ngjarjeve. Formacioni i luftimit të forcave arbëre përbëhej nga katër grupime kuadratike kalorësish me nga 2.000 veta dhe katër grupime këmbësorësh me nga 500 veta, të rreshtuara në një skalion. Kalorësinë e ndau në katër pjesë të barabarta dhe e pozicionoi në krahët e ushtrisë: të parën ia besoi nipit të vet, Goiko (Gjokë) Strez Balsha, pjesën e dytë, Tanush Dukagjinit, pjesën e tretë, Kapedan Muzakës dhe pjesën e mbetur, të cilët ishin kalorësit e Gardës Pretoriane, së bashku me disa trupa rezervë, i mbajti nën komandën e vet dhe plani i tij ishte të shkonte në të gjitha vendet ku armiku do të dukej se kishte ndonjë avantazh (13). Në qendër pozicionoi repartet e këmbësorisë, të cilët do të qëndronin midis dy krahëve të trupave kalorsiake. Në krye të këtyre trupave caktoi katër komandantët më të shkëlqyer dhe luftëtarët e tij më të rreptë: Pal Maneshi, Peiko (Pejk) Emanueli, Dhimitër Berisha dhe Rajan Kuka (14). Po ashtu edhe pozicionimi i ushtrisë osmane në formacion luftimi ndryshonte shumë pak nga mënyra e renditjes së luftërarëve arbër. Raporti numerik midis dy palëve kundërshtare ishte 2 me 1, në favor të Ballaban Pashës. Luftëtarët e të dy ushtrive, të inkurajuar nga udhëheqësit e tyre, përparuan në luftime, me moral të lartë shpirtëror e duke e shoqëruar fillimin e betejës me britma shumë të forta dhe u pëplasën me njëri-tjetrin me zemërim të madh dhe urrejtje të ndërsjelltë (15). Gjergj Kastrioti-Skënderbeu sulmoi me një tërbim të jashtëzakonshëm dhe kudo ku ai shfaqej në krye të Gardës Pretoriane, rradhët e armikut çaheshin menjëherë, duke lënë me qindra të vrarë në fushën e betejës. Kalorësit arbër arrinin të depërtonin shumë shpejt aty ku rreziku ishte më i lartë dhe duke ndjekur lëvizjet e Kastriotit, ata tërhiqnin të plagosurit, duke i zëvëndësuar me trupa të freskëta, që zinin pozicionet sa hap e mbyll sytë. Vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, siç na thotë M. Barleti: “kryente njëkohësisht detyrat e ushtarit trim dhe të kapedanit më të mirë (16)”. Për një kohë relativisht të gjatë, fitorja nuk i buzëqeshi asnjërës palë, por kudo ku sulmonte Arbnori i pamposhtur, mjaftonte prania e tij dhe aty merrte fund çdo përpjekje e palës kundërshtare, sepse osmanët largoheshin të tmerruar ose binin përdhe të vdekur nga goditjet e tij dhe të luftëtarëve të Gardës Pretoriane. Ai kreu me trupat e tij një manovër të gjerë, duke lëvizur me shpejtësi nga njëri krah në tjetrin dhe pikërisht atje ku sitata paraqitej më e vështirë (17). “Çdo përleshje me praninë e Skënderbeut, përfundonte mbarë”, sipas M. Barletit, i cili shton se “çdo furi dhe stuhi rreziku pushonte, kështu që arbërit, barbarët dhe gjithë të krishterët e thonin njëzëri dhe e pohonin një gojë se Skënderbeun e kishte nxjerrë Zoti, luftëtarin më të madh në botë (18)”. Por pikërisht, në kulmin e zhvillimit të saj, kjo betejë kaq e përgjakshme për pak sa nuk rrezikoi të kthehej në një katastrofë të hatashme për ushtrinë arbëre dhe të gjithë Arbërinë. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u hodh në përleshje me një pakujdesi që desh i kushtoi jetën dhe gjatë zhvillimit të betejës së Sfetigradit, ai përjetoi dy momente shumë kritike që përshkruhen nga biografët e tij klasikë: Dh. Frangu, M. Barleti dhe G. Biemmi. Trupat armike, megjithëse ishin të rrethuar nga të gjitha anët, ata sulmonin me shumë tërbim në drejtim të tij, me qëllim për ta eleminuar fizikisht, sepse për ata, kjo ishte e vetmja shpresë për ta fituar betejën. Në një moment të caktuar, ushtarët osmanët e rrethuan, duke i ngushtuar rrezen e veprimit dhe njëri prej tyre iu hodh mbi trup, e kapi për qafe sa desh e shtriu përtokë, duke përdorur peshën e vet trupore dhe inercinë e lëvizjes. Një luftëtar arbër, me emrin Liveta (Livetta), emrin e të cilit gojëdhënat e kanë sjellë deri në ditët tona, arriti ta vrasë ushtarin armik duke ia kaluar shpatën tej për tej në trup dhe e shpëtoi komandantin e vet nga rreziku. Sa hap e mbyll sytë dhe pothuajse në të njëjtën kohë, u copëtuan edhe pesë ushtarë të tjerë osmanë që ndodheshin aty pranë, ndërsa në rradhët e luftëtarëve arbër nuk mbeti asnjë i plagosur (19). Mirëpo, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u hodh përsëri si i tërbuar në mes të skuadronit armik dhe mbeti për disa kohë krejt i vetëm, pa e ditur askush se çfarë po bëhej me të (20). Dh. Frangu thotë se “Skënderbeu vrau shumë turq atë ditë, por ndërsa luftonte plot vrull, papritur kali iu pre nën të dhe ai ra përtokë dhe u përplas mbi trungun e një peme të copëtuar, ku u vra keq në krahun e djathtë, të cilin tashmë nuk mundte ta lëvizte. Turqit, duke menduar se tashmë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kish vdekur, zbritën menjëherë nga kuajt që t’i prisnin kryet (21)”. Kjo ishte hera e parë në të gjithë ato beteja që ai plagosej dhe jo nga ndonjë goditje e trupave armike, por tani ndodhi aksidentalisht dhe, aq më tepër, pasi ishte përhapur besimi i përgjithshëm se ai ruhej nga ndonjë fuqi magjike (22). Lajmi i rremë i vdekjes së tij u përhap me shpejtësi deri tek ushtari i fundit dhe ndërkohë që arbërit u shtangën në vend, duke u demoralizuar, osmanët u hodhën menjëherë në kundërsulm me shpresën se tani çdo gjë kishte marrë fund (23). Në këto çaste kaq kritike, kalorësit e Gardës Pretoriane, që e kishin parandjerë rrezikun, u vërsulën kundër ushtarëve armiq, por i pari që shkoi me shpejtësi pranë tij ishte Tanush Dukagjini së bashku me forcat që komandonte, duke formuar një rreth përqark trupit të Heroit tonë Kombëtar, i cili mendohej se kishte vdekur dhe këtu u zhvillua një betejë me të vërtetë homerike. E shpuar tejpërtej, mburoja e tij ishte copëtuar nga goditjet e ushtarëve turq dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu qëndroi për disa çaste i shtrirë përtokë, i rrethuar dhe i mbrojtur nga shokët e tij besnikë të armëve(24). Falë ndihmesës dhe sulmit të shpejtë të kalorësisë arbëre për asgjësimin e forcave armike që e kishin rrethuar, ai e mori veten dhe filloi të mbledhë fuqitë. Pas pak çastesh, gjymtyrët e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu filluan të lëvizin dhe ai u ngrit në këmbë, u shkund sikur të kishte parë një ëndërr dhe pasi u ndërgjegjësua, nga gurmazët e luftëtarëve arbër u lëshuan britma aq të fuqishme gëzimi dhe kënaqësie të papërshkrueshme sa që jehoi e gjithë fusha e Sfetigradit. Shortet e luftës u hodhën sërish në favor të ushtrisë arbëre… Sipas jetëshkruesit B. Bindoni, pavarësisht dhimbjes së fortë që i përshkoi trupin, ai e rimori veten shumë shpejt, u ngrit në këmbë si një luan i vërtetë dhe duke përdorur shpatën e tij të mrehtë shtriu përdhe të vrarë të gjithë ushtarët armiq, të cilët kishin zbritur nga kuajt, si dhe disa të tjerë që e kishin rrethuar (25). Sapo njëri nga ushtarët e vet i solli një kalë tjetër të bukur e të fuqishëm, ai kërceu menjëherë mbi kurrizin e tij dhe duke mbërthyer shpatën me dorën e majtë, atëherë u ndal për një çast, analizoi situatën e sapokrijuar, u mbush me frymë dhe u vërsul sërish kundër armikut duke sulmuar me më shumë ashpërsi (26). Ushtarët osmanë, fillimisht u hutuan nga kjo pamje dhe më pas u tmerruan kur e kuptuan se fati u rrëshqiti kaq shpejt nga duart. Gjatë gjithë kohës kur Gjergj Kastriotin-Skënderbeu vazhdonte sulmin në drejtim të vendit ku qëndronte shtabi qëndror i Ballaban Pashës, atë po e ruante nga krahët komandanti Tanush Dukagjini. Në krye të Gardës Pretoriane po i dërrmonte rradhët e turqve të hutuar me një vrull të pabesueshëm dhe të pakuptueshëm për ata, të cilëve pak minuta më përpara u dukej si i vdekur, por tani po vringëllonte shpatën e tij të rëndë sikur të ishte fije kashte, duke goditur në të djathtë e në të majtë, kalorës e këmbësorë, pa mundur që në të vërtetë t’i rezistonte askush (27).” G. Francione shton se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu “Ishte afro 60 vjeç, por mbetej ende një luftëtar i pamposhtur (28).” Ai po e vazhdonte sulmin me zjarr më të madh se sa më parë, “aq më tepër”, thotë C. C. Moore, duke iu referuar J. Lavardin, “që duke çarë rrugën në të gjitha anët me tehun e shpatës së tij midis jobesimtarëve, ai nuk dukej shumë ndryshe nga një stuhi e zjarrtë, rënë në një arë gruri, duke rrënuar dhe shkatërruar gjithçka deri rrafsh me tokën (29).” Për t’i ndërprerë hovin, i doli përpara njëri prej luftëtarëve më të fuqishëm të ushtrisë osmane dhe oficeri i Ballaban Pashës, i cili quhej Sulejman (30). Përballja midis tyre ishte shumë e shkurtër, sepse Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i dha Sulejmanit një goditje të fuqishme me shpatë dhe armiku, i cili po udhëhiqte kundërsulmin e bërthamës së ushtrisë osmane, ku ndodhej edhe vetë Ballaban Pasha, ra nga kurrizi i kalit dhe u shtri përdhe i vdekur (31). Pas këtij akti, forcave armike u hyri një frikë e tillë, sa që ushtarët turq, duke humbur shpresën për fitore dhe duke qenë të pafuqishëm për të përballuar furinë dhe vrullin e luftëtarëve arbër, ata kthyen kurrizin dhe morën arratinë për t’i shpëtuar valës goditëse të trupave kundërshtare (32). Ballaban Pasha, së bashku me oficerët e vet, bënë të pamundurën për t’i rivendosur ushtarët turq në pozicione luftimi, por ata nuk arritën të përballojnë avancimin e pandalshëm të komandantëve dhe luftëtarëve arbër që po i dërrmonin në të gjitha drejtimet (33). Vetë Ballabani, pasi iu shfaq përballë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, u pushtua nga paniku, mori arratinë me shpejtësi të rrufeshme dhe mezi shpëtoi pa u vrarë nga kalorësit e Gardës Pretoriane dhe harkëtarët arbër. Ai shpëtoi vetëm në sajë të shpejtësisë së kalit të tij dhe u kthye brenda mureve të sigurta të kështjellës së Ohrit, prej nga u kthye në qytetin e Stambollit me shumë pak njerëz që e shoqëronin (34). Kampi osman, së bashku me të gjithë flamujtë armiq, ranë në duart e fitimtarëve, të cilët grumbulluan plaçkë shumë të madhe. Veprimi i jashtëzakonshëm i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, pasi shpëtoi nga vdekja e sigurtë dhe guximi i tij i tepruar, përcaktuan një nga fitoret e tij më të shkëlqyera. Ballaban Pasha, i terrorizur dhe i rraskapitur, arriti t’i mbijetoi masakrës, por në betejën e Sfetigradit ai humbi më shumë se 15.000 ushtarë pra, 75% të efektivit. Por nga ana tjetër, pavarësisht fitores së tyre spektakolare: të vrarët dhe të plagosurit nga ana e ushtrisë arbëre në këtë betejë ishin më të shumtë se në çdo betejë tjetër, duke nisur nga viti 1443. Ata kurrë nuk kishin paguar një çmim kaq të lartë për të arritur fitoren. Sidoqoftë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kurrë nuk iu kishte dhënë shenja të tilla trupave të tij që të ishte kaq i kënaqur me virtytet e tyre, siç dha ai me këtë rast dhe elozhet me të cilat ai u shpreh duke iu drejtuar atyre, kurrë nuk kishin qenë më të mëdha: sepse kjo, thoshte ai, ishte fitorja më e lavdishme që ata kishin arritur deri atë ditë, vetëm në sajë të gjithë atij mundimi, sakrificës, vendosmërisë dhe vlerës së tyre, pasi në Sfetigrad ata kishin shkatërruar në një fushëbetejë të hapur pjesën më nevralgjike dhe lulen e ushtrisë së Perandorisë Osmane (35). Në këtë betejë, përveç komandantit të përgjithshëm, u dalluan mbi gjithë të tjerët: Tanush Dukagjini, Goiko Stres Balsha, Pal Maneshi, Dhimitër Berisha e Rajan Kuka, por edhe luftëtari “Liveta” (“Livetta)”, i cili, ndërhyri në një çast shumë vendimtar dhe pikërisht atëherë kur jeta e Gjergj Kastriotit-Skëndërbeu ishte në rrezik. Sipas historianit ushtarak, R. Sinani, ushtria arbëre e siguroi fitoren, sepse ajo arriti të harmonizojë në fushën e betejës disa faktorë: veprimet e shpejta luftarake me manovrën në krahë e në shpinë të armikut; shpirtin sulmues me besimin në fitore; përdorimin me mjeshtëri të armëve me rregullat e luftimit; të gjitha veprimet luftarake u kryen me disiplinë të fortë ushtarake; komandantët dhe ushtarët arbër, atë ditë luftuan si luanë shumë të fortë dhe shumë trima (36). Në shenjë hakmarrje për martirizimin e tetë komandantëve që u rropën për së gjalli në Stamboll me urdhër të sulltan Mehmetit II Fatih, pas betejës së parë të Vajkalit dhe të tërbuar për humbjet e mëdha që kishin pësuar në këtë betejë, luftëtarët arbër i masakruan pa mëshirë të gjithë robërit turq, të cilët kishin rënë në duart e tyre. Përsa i përket të pathyeshmit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, shoqëruesi dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Dh. Frangu na njofton se “Plaga që mori në atë betejë i jepte vazhdimisht dhembje therëse, aq sa për tre muaj nuk mundi të ngrinte krahun së paku sa për të hequr kapën(Alla Carmagnola) e të përshëndeste ata që e brohoritnin apo të përkulej për t’iu falur shpëtimtarit tonë, Marisë Virgjër dhe shenjtërve të tjerë. Edhe kur dëgjonte meshë, i shërbenin sikur të qe ai kryepeshkopi që kryesonte festën solemne (37).” Ndërsa Ballaban Pasha, i mundur për të tretën herë, i mbuluar me turp dhe i mbetur në më pak se me 25% të ushtrisë, u kthye në Stamboll, ku u prit nga sulltani me qortime shumë të rënda dhe fyerje të padurueshme. Mirëpo sulltan Mehmeti II Fatih, pavarësisht humbjeve katastrofike që kishte pësuar në njerëz, ishte i bindur se fushatat e pandërprera, herët apo vonë, do të përfundonin me rrënimin e ushtrisë arbëre dhe dobësimin e mëtejshmëm të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, duke krijuar kushtet për zhvillimin e një fushate të madhe pushtuese të udhëhequr nga vetë ai me qëllim për të asgjësuar qëndresën antiosmane në Arbëri.

*BIBLIOGRAFIA:

1)-G. Hammer, Storia dell’Impero Osmano, V, 1453-1520, Venezia, 1829, f. 156; C. C. Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f. 341; C. Paganel, Geschichte Scanderbeg’s Oder Türken Und Christen Im 15. Jahrhundert, f. 312; H. Qatipi, Skënderbeu më 1465, f. 43.

2)-Dh. Frangu, Komentar i luftërave të turqve kundër Skënderbeut, f. 53-54; Shih edhe G. Hammer, Storia dell’Impero Osmano, V, 1453-1520, Venezia, 1829, f. 156.

3)-M. Barleti, vep. cit. f. 457.

4)-P. Giovio, Skanderbeu, f. 121.

5)-Dh. Frangu, vep. cit. f. 54.

6)-M. A. Rus, vep. cit. f. 88.

7)-M. Barleti, vep. cit. f. 457.

8)-M. Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 457.

9)-G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, Seconda edizione, Brescia, 1756, f.437.

10)-Dh. Frangu, Komentar i luftërave të turqve kundër Skënderbeut, f. 54.

11)-C. C.Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f. 342.

12)-C. Paganel, Geschichte Scanderbeg’s Oder Türken Und Christen Im 15. Jahrhundert, f. 312.

13)-J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 315.

14)-M.Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 458; Shih edhe C. C. Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f. 342.

15)-C. C. Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f. 342.

16)-M. Barleti, vep. cit. f. 458.

17)-Sh. Leka, Skënderbeu, Strateg dhe komandant legjendar, f. 161.

18)-M. Barleti, vep. cit. f. 458.

19)-G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, Seconda edizione, Brescia, 1756, f. 438-439.

20)-A. Gegaj, Arbëria dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu 1405-1468, f. 116.

21)-Dh. Frangu, vep. cit. f. 54; Shih edhe J. Lavardin, Histoire de Georges Castriot Surnomé Scanderbeg, Roy d’Albanie, Paris, 1593, f. 428; R. Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f. 397; J. C. L. Simonde De Sismondi,Storia delle Repubbliche Italiane dei Secoli di Mezzo, Vol. IX, f. 216-217.

22)- G. Francione, Skënderbeu, një hero modern (hero multimedial), f. 176.

23)-J. N. Duponcet, Exploits heroiques de Scanderbeg, Roid’Albanie, Liége, 1854 f. 317.

24)-A. Gegaj, Arbëria dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu 1405-1468, f. 116.

25)-B. Bindoni, Skanderbeg, Princi i Epirit, f. 123.

26)-R. Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f. 397; Shih edhe J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 317; C. Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 119.

27)-G. Francione, Skënderbeu, një hero modern (hero multimedial), f. 176.

28)-G. Francione, vep. cit. f. 176.

29)-C. C. Moore, vep. cit. f. 343.

30)-M. Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 458-459; Shih edhe R. Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f. 397; C. C. Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f.343.

31)-G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, Seconda edizione, Brescia, 1756, f. 439.

32)-J. N. Duponcet, Exploits heroiques de Scanderbeg, Roid’Albanie, Liége, 1854, f. 317.

33)-G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, Seconda edizione, Brescia, 1756, f. 440-441.

34)-C. C. Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f. 344.

35)-G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, Seconda edizione, Brescia, 1756, f. 441-442.

36)-R. Sinani, Beteja të Skënderbeut, f. 81.

37)-Dh. Frangu, vep. cit. f. 54.

Nga: Paulin Zefi

Loading...
Loading...
Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Autoktonë! 24 thënie të famshme për origjinën ilire të shqiptarëve

A janë shqiptarët të vetmit pasardhës të ilirëve në trojet e tyre? Teoritë kundërshtuese dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *