Shqipëri moj të marrtë e mira! Sikur asnjë shenjë dashurie të mos më japësh, unë do të të dua dhe më shumë!

Nga Arli Minga

Ali Asllani: “Koha është e maskarenjve, por atdheu i shqiptarëve”. E dashur Shqipëri! Unë nuk do iki, unë do qëndroj!

Nuk do ta lë familjen, as shokët e shoqet, as diellin, as kafen time të preferuar, as kujtimet, sepse do t’i shtoj dhe me to do të shkruaj historinë time, këtu! Unë nuk do lë asnjë pas, sepse nuk do të largohem ndonjëherë; edhe po ika disa ditë, gjithmonë do të kthehem!

E dashur Shqipëria ime! Unë do luftoj që asgjë e jotja të mos jetë e të paepurve, krimit, drogës, injorancës. Asnjë betejë nuk do ma bënte shpirtin pis në emër të dashurisë për këtë vend, përkundrazi, do ma lartësonte deri në amshim!

E dashur Shqipëri! Unë mendoj përditë si mund të bëhesh më e mirë, edhe në gjumë! Vras mendjen a do të që dhe ti të bëhesh më e mirë për mua? Atëherë nëse ti do, eja të luftojmë së bashku! E dashur Shqipëri! Vërja flakën të gjithëve që të kanë halë nësy, e të gjithëve që të lëndojnë! Le të digjen ata që nuk të duan në zjarr.

E dashur Shqipëri e i nderuari Gjergj Kastriot Skënderbe! Luftuam kaq vite për ty dhe në fund do vazhdojmë të luftojmë edhe pse ndonjë hundlesh e mendjepak do të të shesë për politikë. Turqia që të deshi aq shumë, nuk të merr dot kurrë as me xhamitë e saj dhe as me telenovelat turke, e Serbia mundet të bëjë ndonjë marrëveshje “matrapazësh etnikë”, po dot nuk të merr.

E dashur Shqipëri se dhe po të mbetem i fundit këtu, do kem me kë të rri. Nga vendi po largohen çdo ditë shumë që dorëzohen ndryshe nga unë, është e vërtetë, por të jesh e bindur se dhe ata ikin thjesht fizikisht se mendjen e kanë nga ti! Le t’i kthejmë!

E dashur Shqipëri! Nuk do t’i lë vendet e tua të bukura që Naim Frashëri shkruante ditë e natë! As dy detet më të bukura të rruzullit, as malet më të thepisura, as ajrin më të ëmbël dhe diellin që ndriçon më shumë! Tani që e mendoj, nuk do ta lë as hënën, se me atë do qaj hallet çdo natë.

Shqipëri, ti ndoshta nuk e di, por në asnjë vend nuk ngroh dielli si këtu dhe nuk ndriçon hëna si këtu! E dashur Shqipëri! Po të iki nuk do gjej dot asnjë vend për qetësinë e shpirtit tim. Një vend si ti, me kaq të meta, me kaq rrezik, por kaq të dashur! Edhe unë kam nevojë të di që jam i sigurt se jam shumë i ri të vdes nga rastësia, por edhe po vdiqa, do varrosem në dheun tim!

E dashur Shqipëri! E dashur Shqipëria ime e pasur me 1000 të mira e me një popull të mrekullueshëm që vetëm duhet zgjuar pak e i duhet dhënë një qëllim. Hap sytë Shqipëri! Lufta jonë do ta sjellë fitoren! Tradhëtarët do të humbasin!

Eh, Shqipëri moj të marrtë e mira! Do të të dua kaq shumë gjithmonë sa edhe sikur asnjë shenjë dashurie të mos më japësh, unë do të të dua edhe më shumë!

*Përgjigja ime qytetare e shqiptare për pedagogen e nderuar në Suedi, Silvana Begaj.

Shiko poashtu

STOP – këtyre filmave turq, me të cilët po infektohen ekranet shqiptare

– Nga Silvana Berki, Rrjetat.com (tema e II-të) STOP – këtyre filmave turq me të cilat i …

Leave a Reply