Shkodranja Marie Shllaku (1922-1946) martire e shqipërisë etnike

Kanë kaluar shumë vite, kur autori, ka hapur skedat e para, për të hartuar lënden e librit. Vit pas viti, pas ecejakjeve me avion në rrugëtimin New York–Tiranë, New York–Prishtinë, ka hulumtuar dhe sistemuar tërë materialin studimor, si një bletë punëtore, me durim dhe përkujdesje të veçantë.

Ai, përpunoi brumin historik mbi çdo gjë, që lidhet me jetën dhe kontributin e përsonazhes së vet. Fryt i gjurmimeve, ishin buletinet, gazetat e botuara në diasporën e ShBA së Evropë, duke konturuar idetë e ndërtuar fizionominë e plotë të veprës.

Studiuesi Mrijaj, grishi historinë e shkurtër të kohës fakt pas fakti, rriti dhe zgjeroi strukturën e veprës, duke futur në penën e tij subjektet, që janë plazmor në strukturën e dorëshkrimit, tashmë të kthyer në një libër jetëshkrimor, për t’a njohur të gjithë lexuesit mbarëshqiptarë.

E parë në planin e rizgjimit të traditës atdhetare, trimëresha e zgjuar sypatrembur Marie Shllaku, i përket atij brezi të patriotëve shqiptarë, që fatin e lidhën ngushtësisht me atë të popullit të vet, që zemra e re rrahu gjithë jetën për popullin, gjithçka që patën, si: energjitë, aftësitë e dituritë i vunë me ndërgjegje të pastër në shërbim të çështjes nacionale, të realizimit të aspiratave të ligjshme amtare.

Martirët, me madhështinë e stoicizmit të tyre të gjatë, falë fakteve të reja, që ruan nëna histori, dalin nga labirinthet e heshtjes në momentin e përshtatshëm, kur populli ka nevojë më së shumti për ta. Si të tillë, ata së bashku futën në historinë nacionale në vendin e merituar, pranë librit të madh të kujtesës dhe mirënjohjes së përhershme popullore.

Libri në fjalë, i autorit Tomë Mrijaj, është një rreze drite në errësirën e madhe, që ka mbuluar për 80 vjet historiografinë e figurave të shquara të nacionalizmit shqiptar, që luftuan tërë jetën e shkurtër që kishin, për idealin dhe qëllimin fisnik të të parëve, bashkimin e tërësisë së trojeve etnike shqiptare.

Vepra në fjalë, ka të bëjë me portretizimin e martires Marie Shllaku dhe fushëveprimtarinë e ekipit bashkëluftëtarë nacionalistë, të dalluar në Shqipërinë e Veriut, në mesin e shek. XX.

Shumë familje e katunde të Kosovës, u dogjën me themel nga forcat e të ashtëquajtura partizane.

U vranë e masakruan, me qindra njerëz të pafajshëm, luftëtarë të lirisë. Antarët e familjeve të tyre, u ekzekutuan, vetëm pse luftonin komunizmin dhe regjimin kolonizues të Serbisë.

Nisën të vriteshin një nga një me kurthe e trathti, prijësit e çetave atdhetare, burra, gra, pleq e shumë fëmijë, për të zhdukur gjithsesi gjurmët e krimit vllavrasës, në emër të një ideologjie boshe, të importuar nga stepat e Siberisë bolshevike askohe.

Krimet në fjalë, ishin të studiuara me kujdes nga xhelatët sllavo–shqiptarë, në mënyrë, që historia të mos kishte dëshmitarë të masakrave të kryera ditën për diell, në emër gjoja të “pushtetit popullor”.

Duke e parë veprimin gjakësor të komunistëve, çetat nacionaliste, filluan të lidheshin më shumë me njeri-tjetrin, duke bashkëpunuar ngushtë politikisht e ushtarakisht.

Dhe më së miri, këto shembuj, i risjell të freskëta autori, duke u mbështetur në burimet e kohës, literaturën e pasur, që ka dalur në qarkullim vitet e fundit dhe është botuar, nën kujdesin e studiuesve të rinj seriozë.

Pasi u pushtua e u aneksua Kosova më 1945, dhe pasi u ngrit muri më makabër i ndarjes ndërmjet shqiptarëve, regjimi i juntës ushtarake serbe, nuk kurseu asgjë, për t’a terrorizuar, masakruar, përndjekur dhe asgjësuar popullsinë e pafajshme shqiptare, që u robërua nga kjo makinë shfarosëse dhe shpesh me ndihmen e ingranazheve puthadorë e lajkatarë, për fat të keq shqiptarë.

Në këto rrethana të reja të krijuara, shqiptarët fituan një status inferior, në krahasim me republikat dhe me popujt e tjerë të Jugosllavisë.

Përkundrejt gjendjes së re, popullsia autoktone e dardanëve, çdo orë, ditë, muaj e vite, kishte grumbulluar një lëmsh të madh zemërimi të natyrshëm. Ata, u rilindën dhe nisën të organizojnë lëvizje, protesta, revolta të organizuara e spontane dhe filluan t’a shprehin në mënyra të ndryshme organizimi.

Populli u hodh në kryengritje, por mercenarët komunistë të Titos i shtypën me gjak. Nga një luftë e hapur patriotike, u detyruan, të ndryshojnë taktikë, duke kaluar në ilegalitet.

Ata formojnë organizata politike, me përmbajtje të shëndoshë patriotike, për bashkimin e trojeve etnike shqiptare.

Një nga organizatat e rezistencës antikomuniste, që bëri bujë asokohe, është Organizata Nacional Demokratike Shqiptare (ONDSh), në Kosovë, Maqedoni dhe degë në vise të tjera shqiptare në Jugosllavi, në gjirin e së cilës, bënte pjesë vajza e re Marie Shllaku.

Populli shqiptar, ka një histori shumë të trazuar, e cila, ka kaluar nëpër kapërcej të ndryshëm kohorë. Këtë histori e përshkojnë momente të hidhura të jetës dhe të veprave të shqiptarëve.

Përkushtimi ndaj nacionalistëve martirë të nacionit, përbën një detyrim, për çdo pendë, që të përcjell me përkushtim brëndinë e ngjarjeve historike, duke zbardhur figurën e pastër e të pasur atdhetare të Marie Shllakut, që sakrifikoi çdo gjë, për të bërë nacionin e vet të pavdekshëm dhe nacioni si shpagim e nderon, duke e bërë atë të përjetshme.

Në këtë aspekt, libri hedh dritë, mbi veprimtarinë e vajzës shkodrane, që jetën ia fali në lulen e rinisë Kosovës martire, duke pasur në mendje e zemër emblemen e rezistencës, kundër ballinës së përbashkët komuniste të ashtëquajtur partizan shqiptaro-sllav.

Maria ishte një vizionare e kulturuar, për një të ardhme demokratike, sikurse shumë shtete të Europës Perëndimore dhe i vinte keq, kur shihte çdo ditë, se ku ishte katandisur atdheu i saj, nën kthetrat komuniste.

Libri dhe lufta, për vlera të vërteta demokratike, që burojnë nga këto dituri të shkruara, ishin bashkëudhëtare të Maries. Kishte një pasion e vullnet të madh për librat, dashuri dhe respekt, për çdo vlerë kulturore, të cilën përpiqej të merrte sa më shumë që të ishte e mundur. Shpesh, iu desh të sakrifikonte nga dëshirat dhe gëzimet rinore, për të realizuar qëllimin, që i kishte vënë vetes, të shkollohej dhe t’i shërbente Atdheut më shumë me dijet e saj perëndimore.

Tharmi atdhetar e ndjeshmëria nacionale, ka qenë model për kohën dhe një shembull pozitiv për brezat e sotshëm në Kosovë e Shqipëri. Maria, e tregoi me jetën e saj, se ç’kulturë atdhetare kishte zotëruar deri në ato vite dhe sa e si i shërbei mëmëdheut, duke dhuruar jetën, në moshën më të bukur të rinisë.

Ndërkohë, ky element patriotësh të flaktë, përmes odiseve të çuditshme, plot ngjarje të mbushur me ngarkesë luftrash dhe vështirësish në jetën e vështirë të maleve në çdo stinë të vitit, ka shpërfillur e përballuar me po aq çudi të jashtëzakonshme ekspeditat sllavokomuniste shfarosëse të stilit mesjetar, të zjarrit e të hekurit, skamjen, terrin, vuajtjen.

Rrethimet e shpeshta hermetike, kalitën heroizmin, përballuan eliminimin e tyre fizik, shpërbërjen njerëzore, në keqtrajtimin dhe internimin e familjeve të trimave të lirisë, për të vetmin “faj”, pse luftuan kundër sllavëve e komunizmit.

Zëri dhe vepra e Maries, shërbei si lëndë e parë, në fillim të shek. XXI, për jetëshkrimorin, që të rreshtoj dëshmi tronditëse, refleksione e vlerësime historike, të cilat jepen me një përkujdesje serioze dhe përshkrim rrënqethës në libër.

Maria, ishte e mbeti një zë i fuqishëm, kundër dhunës, praktikimit të metodave të pushtetit të diktaturës.

Me shembullin pozitiv, është një dëshmi e këngë krenarie e rezistencës, mbijetesës dhe vitalitetit të forcave nacionaliste, që refuzuan pandërprerë pushtetin e juntës komuniste, që po hidhte me shpejtësi rrënjën e farës së keqe.

Patriotët e lirisë e Shqipërisë etnike, ekzistencën e tyre e mbështetën vetëm në vlerat e pastra dhe të larta morale, të traditës së kulluar nacionaliste.

Autori Mrijaj, rrëfen fatin e përsonazhit kryesorë, kohën kur janë zhvilluar ngjarjet, duke dhënë me një gjuhë e stil të thjeshtë fatet njerëzore, në luftën e mbijetesës mbinjerëzore, në kohën më të egër të komunizmit në Shqipëri e Kosovë.

Jetëshkrimi i martires së pushkatuar, plotëson shumë zbrazëti, zbulon gjëra të mbuluara dhe njëkohsisht arrin të qortojë shumë gjëra të shkruara keq, veçanërisht në vitet e diktaturës komuniste, ku, historiografia zyrtare abuzive në Kosovë e trungun amë, e kishte kthyer në normë tjetërsimin e të vërtetave historike dhe rasti i çetave nacionaliste antiserbo-komuniste, ishte forma më e dukshme e këtij deformimi.

Ky botim, nga një autor në diasporën shqiptaro – amerikane, përbën një kontribut të ri, në sqarimin e disa momenteve me peshë historike, në çuarjen më përpara të mendimit tonë historik, sa i përket studimit të nacionalizmës përparimtare shqiptare, si dhe problemeve të tjera historike, që lidhen me figurën historike të atdhetares së pushkatuar nga sllavokomunistët.

Kanë kaluar 58 vjet, për të cilën bëhet fjalë në libër, por kujtesa e historisë, arkivat dhe dëshmitë e rrëfimtarëve bashkëluftëtarë s’është dobësuar.

Komunistët dhe mercenarët e tyre, menduan, se i kanë zhdukur të gjitha, por në fakt në zemrat e brejtura, kanë qëndruar të fjetura ngjarjet dhe episodet, që pas viteve 1990, bënë të mundur të ndërtohet ky libër dhe gradualisht të rishkruhet historia, sipas dokumenteve e fakteve autentike.

Episodet dhe jeta përshkruhet dora–dorës, duke fituar përmasat e një arkivi të gjallë. Ndodhitë, zënë pikënisje në qytetin e Shkodrës, ku, lindi dhe u edukua në fëmijëri Maria. Secila prej tyre, fiton mëvetësinë e të ekzistuarit, në një kohë të caktuar dhe me peshë të dukshme pikëzohen në atë kohë në Shqipëri e Kosovë.

Përmbajtja, është e larmishme dhe me tituj joshës, për t’a lexuar deri në fund me endje. Autori, në vështrimin konceptual, me një logjikë të natyrshme dhe në lidhje kompakte e ka trajtuar veprën e vet, kushtuar nacionalistes më të re (e vetme, si femër në 55 çeta nacionaliste, që vepronin me pushkë në dorë në Kosovë), si një pjesë e tërë dhe jo në kapituj veçmas.

Rrëfimi fillon me një përshkrim të qytetit të lashtë Shkodrën, të njohur për vlerat kulturore të hershme dhe cilësore në të gjithë Ilirinë, periudhën e ndritur të Arbërisë dhe kudo sot në trojet etnike shqiptare.

I zhytur në leximin e stilit narrativ të autorit, natyrshëm përfshihesh në pjesën interesante me titull: “Shkodra dhe bija e saj”. Ndryshe lexuesi, mund te mendoj, se ne ç’truall të begatë u rrit dhe u edukua bija e qytetit antik.

Të gjitha këto mirësi të vendlindjes, i ndiente në frymëzimin e shpirtit të saj fëmija, që çdo gjë, do t’a mësonte nga stërgjyshërit, nëna e babai, gjatë ditëve të ftohta të dimrit, pranë zjarrit dhe sofrës karakteristike bujare shkodrane.

Komunistët me të ardhur dhunshëm në pushtet, filluan përsekutimin sistematik, kundër krenarisë, fisnikërisë e diturisë të mijëra intelektualëve qytetarë shkodranë, klerikëve katolikë, duke e kthyer qytetin në një katakomb, truall martirizimi.

Shkodra, u bë epiqendra e rezistencës antikomuniste, ku, për idealet e larta të lirisë dhe demokracisë, flijuan jetën shumë martir të fesë e atdheut. U mbyllën shkollat private, u konfiskuan pasuritë e tundshme dhe të patundshme.

Në qytetin e Shkodrës në vitin 1947 u hapën 12 burgje, për të mbajtur në qelitë e ftohta bijtë më të mirë të qytetit të lashtë, duke iu nënshtruar hetuesisë, torturave çnjerëzore, pushkatimit me radhë e pa radhë dhe me vdekje misterioze të organizuar nga forcat partizane dhe Sigurimi i Shtetit, qe po linde me gjak dhe mbi kufomat e pafajshme te popullit.

U dogjën ose ua dhanë peshqesh jugosllavëve të gjitha librat e rrallë, që ndodheshin në Kuvendet e Urdhërave Katolike (60.000 ekzemplarë e shumë prej tyre antikuare origjinale në Shqipni) dhe shtëpitë e zotnive kulturdashës të qytetit.

Diktatura, e cilësoi qytetin e banorët e tij, si “qendër reaksionare, trathtarë, bashkëpunëtorë të Vatikanit, CIA-s, UDB-së, KGB-së, agjentë të Kinës, etj.”, duke e burgosur, torturuar, internuar, privuar nga çdo e drejtë njerëzore, keqtrajtuar pa mëshirë.

Diferencimi filloi më 28 nëntor 1944 dhe vijon sot, në mënyrë të hapur apo të kamufluar, mbasi shpirti dhe geni i zgjuarësisë, i kulturës së trashëguar, shihet si rrezik për të gjithë ata, që i shtuan kalvarin e vuajtjeve dje e sot…

Shkodra dhe bija martire Marie Shllaku (1922-1946), gjithnjë është dalluar, për vlerat e mëdha të nacionalizmit shqiptar, duke qenë një zonjë e rëndë dhe burrat e dheut e thirrshin Shkodërloca.

Në këto lagje rrugica shekullore, janë rritur dhe edukuar, pranë votrës karakteristike shkodrane, fëmijët në djep, që nënat e tyre u jepnin qumështin e gjirit, ashtu sikurse thotë legjenda e lashtë e kështjellës Rozafa.

Marie Shllaku, ishte pjesë e qytetit, që ruante në gjirin e saj historinë e lavdishme mijëravjeçare, pikërisht atëherë, ku, shumë qytete të Shqipërisë jetonin fazën e embrionit të tyre.

Zoti e natyra, kishte shtrirë me kohë dorën e saj bujare, në drejtim të qytetit, që si shpërblim i dhuroi atdheut bijtë më të mirë, intelektualë solidë, njerëz me erudicion dhe vizion të pastër atdhetarë, burra të pushkës e pendës, prijës të aftë e martir, që zunë fill qysh nga lashtësia e Gentit dhe Teutes së famshme…

Për te, vendlindja ishte çdo pëllëmbë toke shqiptare, njëlloj si Shkodra, që në dritë e qiti dhe ndoshta më tepër e deshti Drenica.

Maria e përshkoi Kosovën anembanë, në fusha e në male, në qytet e fshatra dhe gjithnjë ndjente kënaqësi, kur ishte mes bjeshkëve të bukura të Kosovës, lumenjëve që gurgullojnë me bardhësinë e tyre, pyjet që harlisen në shpatet e maleve, që herë herë mbulohen me dëborën e re të dimrit të ashpër.

Bashkëpunoi me Legalitetin, Ballin Kombëtar dhe me të gjithë ato forca përparimtare shqiptare, që ishin përkushtuar për Shqipërinë etnike, një shembull ideal sot, për secilin prej nesh.

Faktet, analiza e argumenteve zbardhen dhe shfaqen, për herë të parë, në pjesët e qëlluara shkrimore, por shumë kuptimplote: “Familja Shllaku dhe historia”, “Kosova dhe Marie Shllaku”, “Nacionalisti ing. Xhafer Deva zbuloi dhe përkrahu talentin e Maries”, “Profesor Ymer Berisha udhëheqës e martir i Kosovës”, “Shokët antikomunist kujtojnë Marien”, “Maria në Kuvendin e Dobërdolit”, “Beteja e qelisë së Siçevës 12 shtator 1945”, “Maria aktive në Kuvendin e Drenicës”, “Martiria shkodrane në luftën e Drenicës”, “Shtypi i kohës flet për pushkatimet”, “Nxënësia e Fishtës e priti me qetësi pretencën e vdekjes”, “Maria dhe ONDSh”, “Krijimi i Organizatës Patriotike “Besa Kombëtare” dhe Maria aktiviste”, “Marie Shllaku bashkëpunëtore e shumë organizatave nacionaliste në mal”, “Maria në Mat’hauzen dhe Aushviz–in e Jugosllavisë komuniste”, “Heroina për 50 vjet e lënë në harresë”, “Një histori të dhimbshme, por krenare shqiptare”, “Maria dhe historia që do të flasë përsëri”, “Një përmendore e pavdekshme për Marien libri i Kelmendit dhe Gashit”, “Me histori në dorë”, etj.

E gjithë jetëshkrimi, ndjehet i freskët nga rrëfimet e bashkëkohësve dhe shoqërohet me shënime historike, për bashkëluftëtarët e përsonazhes, një literaturë e pasur të hulumtuar në Kosovë, Shkodër, Tiranë e ShBA.

Me pushtimin e Kosovës nga ushtritë serbo-malazeze, më 1912, populli shqiptar ra nën zgjedhën e një shtypësi të ri. Aneksimi i trojeve shqiptare, i sanksionuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913, u shoqërua me vendosjen e një regjimi të egër të shtypjes dhe gjenocidit.

Pozita e Jugosllavisë, nën Mbretërinë Jugosllave ishte e konsoliduar. Kjo kishte ardhur menjëherë, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Pra, kemi në këtë rast një kontuinim të mbretërisë jugosllave, ku, brenda tyre padrejtësisht ishin përfshirë një pjesë e konsiderueshme e trojeve shqiptare.

Pas përsekutimit dhe masakrimit fizik në kohën e sundimit të Aleksandrit, shqiptarët e Kosovës, provuan në kurrizin e vet masakrimin në masë, menjëherë pas “çlirimit” të Jugosllavisë.

Vrasjet masive u kryen nga repartet e ushtrisë popullore çlirimtare të Jugosllavisë të kryesuar në Kosovë nga marsha e direkte e Marshallit josif Broz Tito, i plotëfuqishmi asokohe Fadil Hoxha me company, me të cilat do të bashkohen më vonë brigadat partizane të drejtuar për masakra nga komandantet Shefqet Peçi, Shaban Haxhia dhe komisar politik Ramiz Alia të nënës Shqipëri me urdhër direkt të Enver Hoxhës. Në emër të nënës apo “memëdheut”, ata vranë bijtë më të mirë të shqipes në trojet etnike shqiptare, për t’i hyrë në zemër sllavokomunistëve të Titos.

Në situatën e rëndë të krijuar, gjendja nacionale, sociale, ekonomike e popullit shqiptar erdhi duke u ashpërsuar.

Shqiptarët qenë kësisoj një ndër popujt më të diskriminuar dhe të shtypur në të gjithë të ashtëquajturën Mbretëri Jugosllave.

Me ardhjen e Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste në Kosovë (1939-1944), kufiri shqiptaro-shqiptar, midis trojeve shqiptare, në pjesën veriperëndimore të Kosovës ishte i lirë.

Tashmë, shqiptarët e ndarë padrejtësisht, qysh prej vitit 1913 nga Fuqitë e Mëdha, filluan të lëvizin lirshëm në të dy anët e përbashkëta të nacionit arbëror. Sigurisht, ky veprim i rrëzimit të “murit” artificial, ishte një nxitje, për zhvillim të trevave shqiptare, por nga shovinistët sllavë nuk shihej me sy të mirë.

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, në vend që të zgjidhte problemin e fillimshekullit XX, e thelloi më shumë trathtinë, që vetë udhëheqësit e PK të Shqipërisë, kishin bërë në bashkëpunim me shqiptarët mercenarët besnikë të Serbisë.

Ata bënë aktin më të rëndë, duke e lënë Kosovën nën morsën shtypëse të kolonizatorëve barbarë. Fakti, që nga viti 1944-1990, ku, shqiptarët ishin të pushtuar e përligjë trathtinë e regjimit të polpotit të kuq sadist Enver Hoxhës (Kujtojmë, se në Kamborxhia diktatori Polpot vrau 2,000.000 bashkëkombas kamborxhian nga 7,000.000 banorë që asokohe kishte vendi, që mendonin ndryshe nga regjimi i tij dhe u fut në enciklopedinë e krimeve komuniste botërore kundër njerëzimit, shënimi im K. K.) dhe më kot mundohen pseudohistorianët komunistë të shfajësojnë Enver Hoxhën dhe regjimin e tij.

Ka qenë pikërisht ky regjim, që ka dorëzuar me dorën e vet kasapit të Ballkanit gjatë 50 viteve me mijëra vëllezër kosovarë (Masakra e Tivarit me 4.500 shqiptarë të masakruar ditën për diell), mbushën burgjet e Burrelit, Spaçit, etj. dhe në kampet e përqendrimit në shtetin amë burg…

Dhe për këto fakte shiko vargun e gjatë të listave në gazetat: “Pishtari” (Shkodër), “Liria” (Tiranë) etj., të Shoqatës së ish Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, shënimi im K.K.), që kishin ikur nga vendlindja, për t’i shpëtuar masakrave, por janë trathtuar nga komunistët e Tiranës së kuqe zyrtare, që kishin dashuri të pakufi për Titon.

Vetë E. Hoxha, (administrata, institucionet shtetërore e shkollat), në zyrën e vet ka mbajtur portretin e Titos, Stalinit, Mao Ce Dunit.

Diktatori antishqiptar, e pllakosi përtokë krenarinë e shqiptarit si individ e komb, mëvetësinë e tij, në mënyrën e të menduarit e të jetuarit, me projektin makabër të krijimit të “njeriut të ri” (një ibrit eksperimental), kryekreje sipas modelit të komunizmit ruso – kinez, ka bërë që edhe sot disa njerëz të konsumojnë dollarin në ShBA, euro-n në Kosovë e Shqipëri, për ta blerë “artin”, që i këndon largkjoftit.

Ai, pas vetës ka lënë Shqipërinë një “kopsht me lule” (katrahurë), me kujtimet e errëta për Burrelin, Spaçin, Ballshin, etj., dhe me qindra kampe internimi ne të gjithë atdheun, duke thithur si ushujzat gjakun e popullit të vet për 5 dhjetëvjeçarë me radhë. Eshtë pikërisht ai, që e vari, kryqëzoi dhe katandisi shtetin shqiptar në ishull kubanez (xhungël) dhe në varfëri të tejskajshme, pasojat e së cilës ndihen ende sot…

Duhet vënë në dukje, se figura e Maries, nuk mund të kuptohet e shkëputur nga dëmi, që regjimi i Tiranës i ka bërë çështjeve të trojeve etnike shqiptare, duke i detyruar nacionalistët të rrokin armët, kundër sllavëve dhe trathtisë shqiptare.

Në politikën negative të jashtme, që luante Tirana zyrtare e të vetëquajturit “gjeneral” Enver Hoxha, ishte çasti antishqiptar, kur zyrtarët amerikanë e pyetën, se cili do të ishte reagimi juaj, fjala vjen, sikur Shqipëria të kërkonte, që të futej çështja e Kosovës në rendin e ditës të Konferencës së Paqes?

A nuk do të mendonit ju, se të paktën, ju gëzoni të drejtën, që pretendimi i juaj të diskutohet dhe të studiohej? I shtangur nga kjo analogji e papritur, Enver Hoxha përgjigjet, se: “Analogjia e juaj nuk qendron, sepse ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë Jugosllavisë, për Rajonin e Kosovës”.

Tashmë Shqipëria, do të kishte padronë të rinj jugosllavët e Titos dhe sovjetikët e Stalinit.

Ajo që e bën më interesant këtë episod historik, është se tani, Shqipëria ndodhej para një realiteti, ku, Beogradi nëpërmjet një varg traktatesh ekonomike, kishte formuar kompani me aksione të përbashkëta, kishte hartuar një program të barabartë, për unifikimin e çmimeve dhe kishte filluar bisedimet për bashkimin doganor, unifikimin monetar etj. Gjuha cilirike serbo-kroate, ishte futur në shkollë.

Sipas planit jugosllav, Shqipëria, do të ishte furnizuesja e saj me lëndë të para dhe shumë shpejt, ajo do të bëhej republikë e saj e shtatë… Kjo tashmë nuk është fshehur as nga vetë jugosllavët, që thonë se asokohe ia hodhëm Shqipërisë “motër”!!!

Libri, futet ndër ato botime të vlerave të përveçme dhe njëkohsisht del nga rrethi vicioz, ku, shpesh humbin shkrime të llojit të kujtimeve. Historia mbetet në rend të parë, ku, qendrushmëria e të dhënave dhe fakteve, i hapin hapësirë pasurimit të biografisë së shkodranes Marie Shllaku, duke e ndihmuar në rizgjimin e historisë.

Mund të thuhet, se jetëshrimi i deritashëm në fjalë sjell një drejtpeshim në vlerësimin objektiv të figurës së vajzës së re martire.

Ajo mbeti një femër legjendare, me tradita të thella atdhetare, një nacionaliste e ndërgjeshme. U ndal në Kosovë, me vullnetin e saj shpirtëror, për të vdekur si patriote e trojeve të përgjakura të Kosovës.

Autori, orientohet drejtë në kohë, duke e parë martiren e flijuar, për ideale të shenjta atdhetare, si një figurë realisht historike, i shmanget natyrshëm mitizimit, d.m.th., ai e çmitizon atë, e bën qënie të prekshme, me trup dhe frymë, duke demostruar kësisoj një shembull të jetësuar, me punë hulumtuese e shkrimore serioze.

Historia, ende ka për të thënë e shkruar, për këtë përsonalitet historik në të ardhmen, mbasi ka lënë gjurmë të pashlyeshme, në vetëdijen e popullit tonë dhe si e tillë përkujtohet me krenari dhe respekt të veçantë, si qytetare nderi e trojeve etnike shqiptare.

Martiria shkodrane, ëndërroj në vajzërinë e saj që të bëhej nuse, por ajo zgjodhi si dhëndërr interesat e larta të Atdheut, duke privuar vetvetën nga dita e nusërisë.

Libri me 3000 ekzemplarë, është botuar në New York dhe ka 218 faqe ne disa foto, që botohen për herë të parë. Kopertinat janë realizuar me mjeshtri nga dizanjeri i talentuar i gazetës “Illyria” .

Shiko poashtu

Dëshmori i kombit, hoxhë Halim (Ramadan) Bajraktari

Familja Bajraktari e Drenasit shquhet për traditë të vazhdueshme të rezistencës dhe atdhedashurisë. Është i …