Dëshmori i kombit, hoxhë Halim (Ramadan) Bajraktari

Familja Bajraktari e Drenasit shquhet për traditë të vazhdueshme të rezistencës dhe atdhedashurisë. Është i mirënjohur kundërshtimi që kjo familje i kishte bërë regjimit okupator serb. Atëgjyshi, i dëshmorit Halim, Ramadan Bajraktari kishte rënë dëshmorë në janar të vitit 1943, duke luftuar kundër bandave çetnike në Kollashin të Ibrit. Rezistenca kundër okupatorit ishte e gjallë dhe kulmoi sidomos në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për lirinë e trojeve të robëruara të Shqipërisë, nga kjo familje ranë tre dëshmorë të lirisë dhe gjashtë martirë.

Babai i Halimit, Ramadan Shaban Bajraktari i kishte frymëzuar të bijtë me heroizmin e të parëve dhe me idealin e atdhedashurisë. Në jetën e tij bashkëshortore, Ramadani me Nurien lindën dhe rriten shtatë bij dhe dy bija.

Halimi lindi më 28 janar të vitit 1976 në fshatin Çikatovë e Re. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje. Meqë familja Bajraktari kishte pasur pasur hoxhallarë në zë, babai Ramadani i kishte preferuar të birit, Halimit që të vazhdimësonte traditën familjare. Në vitin shkollor 1992-1993, Halimi regjistrohet në Medresenë Alaudin të Prishtinës.
Krahas mësimeve nga lëndët fetare, në medrese, Halimi shfaq interesim në veçanti për historinë, të kaluaren dhe traditën familjare. Në vitin e tretë të shkollimit në medrese, për shkak së iu kishte dobësuar të pamurit i ndërpreu mësimet për një vit derisa shërohet.

Duke qenë se ishte frymëzuar me idealet e lirisë, Halimi vepron edhe në kuadër të strukturave organizative të kohës. Një kohë ka punuar në Këshillin e Finacimit në Çikatovë të Re, apo Drenasi III, ku ishte dhe kryetar i rinisë. Edhe pse aktiviteti i tij si dhe i veprimtarëve të tjerë bie në sy të forcave pushtuese, ai nuk e ndaloi veprimtarinë adhetare. Ishte në dijeni të veprimtarisë ilegale çlirimtare, përmes kushëriti, Destan Bajraktari dhe disa shokëve të tjerë.
Me rastin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Halim Bajraktari pa vonuar radhitet në mesin e luftëtarëve të lirisë. Në maj të vitit 1998 fillimisht sistemohet në Njësitin Pëllumbi në Negroc, ku bënin pjesë edhe shumë luftëtarë trima të Drenicës si Fatos Krasniqi, Ferat Shala, Ramiz Krasniqi, Skënder Shala, Rafet Sopi e të tjerë. Pas një kohe, së bashku me disa bashkëluftëtarë Halimi niset për në Shqipëri, ku ka qëndruar dy javë. Pas kryen stërvitjen së bashku me bashkëluftëtarët, Halimi ngarkohet me armë dhe municion për nevojat e zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të luftës çlirimtare.

Pas kthimit nga Shqipëria, Halimin, të cilin shokët e quanin Hoxhë, e sistemojnë në Brigadën 113 të Zonës Operative të Drenicës. Ka marrë pjesë në shumë beteja të njohura, por është dalluar sidomos në betejen e Grykës së Llapushnikut, me rastin e ofensivës serbe më 25 dhe 26 korrik të vitit 1998, ku ka treguar heroizëm të pashoq.
I bindur se lufta për çlirimin e trojeve të robëruara të atdheut është luftë e drejtë dhe e përligjshhme, jo vetëm nga aspekti kombëtar e shoqëror por edhe nga ana fetare, ai nuk ndalon së luftuari, kurdoherë në radhët e para të luftëtarëve.

Halimi me disa bashkëluftëtarë shpeshherë vizitonte familjen e tij në Çikatovë. Hynte dhe dilte pa u diktuar, duke pasur kujdes që të mos iu binte në sy forcave serbe, të cilat mbanin në rrethim popullatën civile.
Në prill të vitit 1999, pasi forcat e NATO-s kishin sulmuar mbi disa caqe të ushtrisë jugosllave, forcat policore dhe ushtarake serbe intensifikojnë luftimet duke bërë përpjekje për të shkatërruar pikat strategjike të UÇK-së.

Halimi, asokohe ndodhej në pozicionet te Shkëmbi i Gradinës, mbi lagjen Sopi të Llapushnikut. Pika e Gradinës ishte njëra ndër fortifikatat më qëndresëtare të UÇK-së, njëherit edhe pika më strategjike e Rrafshnaltës së Drenicës. Pikërisht për shkak të pozitës strategjike, forcat serbe të pozicionuara në Llapushnik, më 18 prill të vitit 1999, ndërmarrin aksione intensive për të depërtuar te Gradina. Në mbrojtje të kësaj pike qëndronin të patundur luftëtarë të përkushtuar të lirisë nga brigada 121 “Ismet Jashari-Kumanova”, si dhe luftëtarë të brigadave 113, “Mujë Krasniqi” dhe të brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”. Trimat dhe trimëreshat e Gradinës ishin betuar që forcat okupatore të mos depërtojnë në Rrafshnaltë, ku ndodheshin afër 100 mijë banorë të zhvendosur, ku emetonte program Radio-Kosova e Lirë, nga ku shpërndante lajme agjencia “Kosovapres” dhe ku ishin vendosur institucionet ushtarake e civile të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Më 18 prill furia e forcave armike kishte arritur deri afër pozicioneve të fortifikuara mirë të luftëtarëve të lirisë. Luftimet kishin zgjatur tërë ditën. Ato ishin zhvilluar të ashpra dhe herë herë edhe fyt për fyt. Luftohej në tërë vijen e zjarrit ballë për ballë deri në 20-30 metra distancë.
Ramiz Krasniqi nga fshati Negroc, bashkëluftëtar i dëshmorit, rrëfen për trimërinë dhe heroizmin e Halim Bajraktarit. Ai thotë se Halimi iu kishte dalë në ballë forcave armike, të cilat atë ditë kishin filluar të ngjiteshin me këmbësori drejt Gradinës. Në përleshje me serbët që fillimisht kishin përparuar drejt Shkëmbit, Halimi bie dëshmori i parë i asaj dite në betejën e përgjakshme dhe fyt për fyt kundër forcave ushtarake e policore serbe.

Atë ditë në mbrojtje të fortifikatës më të rëndësishme të UÇK-së në këtë pjesë të Drenicës, bien dëshmorë: Halim Bajraktari, Mentor Morina nga fshati Arllat dhe Ramadan Bytyçi, nga fshati Gjergjicë Po atë ditë në pozicionin tjetër afër Bajrakut në Berishë, që ishte mbrojtje anësore e Shkëmbit të Gradinës, bien dëshmorë edhe Islam Kastrati nga fshati Kizharekë dhe Mentor Gashi nga fshati Llapushnik.
Gjaku i dëshmorëve të lirisë, që atë ditë përskuqi tokën e Gradinës iu bë therrori lirisë së Kosovës. Forcat armike nuk arritën të depërtojnë në Gradinë. Më 18 prill të vitit 1999 në Gradinë dhe në fushëbeteja të tjera të lirisë kudo në frontet e luftës në Kosovë u shënua prapakthimi i parë i pashmangshëm dhe i turpshëm i forcave armike.
Në frontin e luftës në Koshare ishte angazhuar edhe vëllai i Halimit, Naseri. Ndërsa me rastin e depërtimit të popullatës civile në Drenas, forcat serbe arrestojnë vëllanë e Halimit, Agimin, të cilin e deportojnë në burgjet e Serbisë. Don fati dhe pas 11 mujave, pas torturave dhe mizorive që kishte përjetuar nëpër burgje kthehet në familje Agim Ramadan Bajrajtari.
Nga familja Bajraktari e Drenasit kanë rënë dëshmorë të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe Halil Mehmet Bajraktari, i cili ra në Koshare dhe Rrahim Islam Bajraktari, i rënë në Kozmaq.
Janë martirizuar nga dora kriminale serbe: Shpend Ali Bajraktari, Bekim Murat Bajraktari, Arben Murat Bajraktari, Muhamet Osman Bajraktari, Hasan Imer Bajraktari dhe Ekrem Sylë Bajraktari.
Halimi ka qenë i martuar. Ka lënë pas djalin, i cili lindi pesë muaj pas rënies së tij. Babai, Ramadani, nipin e tij e pagëzon me emrin e Halimit. Për Halimin përkujdeset e ëma Zoja, gjyshi Ramadani dhe xhaxhallarët.
Përveç bashkëshortes dhe djalit, Halimi ka lënë pas, babanë, Ramadanin, vëllezërit: Agimin, Enverin, Lulzimin, Vehbiun, Bashkimin, dhe motrat Hasreten e Mirëlindën, si dhe vëllanë nga i ati, Legjendin.

Në nderim dhe respekt për jetën dhe luftën e tij heroike, familja e Halim Bajraktarit ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Radio-Kosova e Lirë, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve dhe nga Kuvendi Komunal i Drenasit.

Më pesëvjetorin e rënies, familja Bajraktari ka ngritur lapidarin në vendrënien e dëshmorët, nën Gurin e Gradinës. Shqiponja fluturake shpërndan valëvitjet e saj përjetësore, në vendin ku gjaku i këtij dëshmori ujiti tokën mëmë. (A. Q.)

Shiko poashtu

Varrezat ilire me simbole mitike

Një vizitë e gjerë nëpër trojet shqiptare , do të më bëj mirë , por …