Home / Histori / TESTAMENTI I GJERGJ KASTRIOTIT – ME VLERË EDHE NË DITËT TONA

TESTAMENTI I GJERGJ KASTRIOTIT – ME VLERË EDHE NË DITËT TONA

Preng Cub Lleshi

Një vit më parë, në gazetën “Ballkan”, dërguar nga Aurenc Bebja, u botua testamenti i Gjergj Kastriotit, i cili u dha përpara princave, gjeneralëve, drejtuesve kryesorë të krahinave të vendit dhe ambasadorëve të huaj, që ishin të pranishëm në Shqipëri në ato momente, kur Heroi ynë Kombëtar e ndjente se po jetonte në çastet e fundit të jetës së tij. Ky testament, i cili, çuditërisht, kaloi në heshtje nga shtypi i shkruar dhe media elektronike, ishte marrë nga libri i autorit Stephan Zannovich me titullin “Le Grand Castriotto d’Albanie Histoire” (“Kastrioti i Madh i historisë së Shqipërisë”), botuar në vitin 1779 nga Shtëpia Botuese “J. J. Kesler”, në Frankfurt.

Edhe pse ka ndonjë historian a studiues të apasionuar të historisë së Shqipërisë që e konsideron këtë testament si një stisje të mëvonshme nga ndonjë adhurues i figurës së ndritur të Gjergj Kastriotit, nuk do të ishte serioze që kjo fjalë amanet të kalonte në heshtje, të paktën, në këtë vit jubilar të Heroit tonë Kombëtar, kur lipset të ndriçohen sa më shumë faqe me dritë nga jeta dhe vepra e kryetrimit tonë legjendar, çka do të na e rriste edhe më shumë ndjenjën e krenarisë kombëtare si shqiptarë për të kaluarën tonë të lavdishme.

Ky testament, edhe në qoftë një “stisje” e mesit të shekullit XVIII, i bën me turp ata historianë a studiues të historisë, që flasin për “çmitizimin” e figurës së Gjergj Kastriotit. Kjo fjalë amanet e bën hi e pluhur tezën e Schmitt, sipas të cilit Heroi ynë erdhi në Shqipëri si “kaçak malesh” për të marrë gjakun e babait të tij dhe për të futur në dorë pronat e të parëve të tij. Ky testament i përgënjeshtron tezat mbi përkatësinë fetare ortodokse a myslimane të Kastriotëve legjendarë, të cilët papët e Romës i kanë njohur gjithmonë si katolikë.

Se një ish ortodoks a mysliman nuk do t`u linte amanet princave shqiptarë të kohës së tij: “Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike”. Dhe Heroi ynë Kombëtar shkon më tej se bashkëkohësit e tij kur porosit: “Mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim”, duke shtuar sentecën e artë: “Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të Krishterin”.

Sikur ta dinte se ç`do të përrallisnin ca historianë turq, po edhe shqiptarë të fillimit të shekullit XXI se ai luftoi për mbrojtjen e krishtërimit dhe jo për lirinë e popullit shqiptar, Gjergj Kastrioti u thoshte princave të krahinave të ndryshme të Shqipërisë: “Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij”. Se, sipas tij, “Zoti… mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt”.

Këtë ide të madhe Heroi ynë Kombëtar, si një përfaqësues i denjë i Rilindjes evropiane, e çonte edhe më tej kur e ngrinte zërin kundër luftrave me karakter fetar, shenjat e të cilave, për fat të keq, duken edhe në agimin e shekullit XXI.

Është kjo arsyeja që Gjergj Kastrioti, në prag të vdekjes, i këshillonte princat shqiptarë: “Në qoftë se Papa u nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi”, duke shtuar se “Zoti…nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut”.

Ky pohim, edhe pse na vjen nga një e kaluar e largët 550-vjeçare, mbart mësime me vlera të mëdha historike për të sotmën dhe për të ardhmën. Mbart mësime me vlera të mëdha jo thjeshtë për Shqipërinë, por për shumë popuj të tjerë të planetit tonë. Se është tepër e rëndë, për të mos përdorur fjalën “anakronike”, që edhe ndonjë shqiptar, në agimin e shekullit tonë, “në emër të Allahut”, rreshtohet në “ushtrinë” e ISIS-it, e cila është shndërruar tanimë në një organizatë terroriste me rrezikshmëri të lartë, jo vetëm në vende të krishtera, po edhe në popuj të tjerë me fe të ndryshme.

Tetasmenti i Heroit tonë Kombëtar zbulon jo një princ dosido të mesjetës, jo një “kaçak malesh”, apo një “hero të idealizuar”, siç pohon ndonjë pseudohistorian i ditëve tona. Jo! Ky testament zbulon edhe një burrë shteti me kulturë të gjërë, edhe një strateg ushtarak të kalitur në beteja, edhe një humanist të rrallë të kontinentit evropian. Këto tipare të Gjergj Kastriotit zbulohen në çdo paragraf të testamentit të tij, edhe pse në një çast të vështirë të jetës së tij.

Këto tipare zbulohen lehtë që nga ai moment, kur Gjergj Kastrioti u thotë të pranishmeve në fjalën amanet: “Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që e bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të”. Dhe e bën më konkrete këtë ide, kur shton: “Në qoftë se ju jeni i djallëzuar… dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni”.

Dhe, më tej, Heroi ynë Kombëtar, në rolin e burrit të shtetit, pasi thekson se “Duhet të jetë virtyti themel i fronit”, shton: “Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë”.

Dhe të jesh i virtytshëm do të thotë, parasëgjithash, të jesh i drejtë, të jesh human. Kjo e vërtetë e shtynte Heroin tonë Kombëtar ta konsideronte vendosjen e drejtësisë si detyrë parësore për burrat e shtetit. Pikërisht për këtë ai i porosiste princat shqiptarë të kohës: “Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe, nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të padrejtë, atëherë, pa mëshirë, varini në shtyllë në vendin e krimit”.
Si burrë shteti humanist, Gjergj Kastrioti mbante anën e njerëzve të thjeshtë, mbante anën e masave popullore dhe jo të pasanikëve të kohës, sepse, siç thoshte krytrimi ynë legjendar, “Krenaria dhe lluksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve”. Dhe ishte kjo arsyeja që Gjergji ynë, edhe në prag të vdekjes, u thoshte princave shqiptarë: “… Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët”.

Dhe, duke i dëgjuar këto fjalë, të thëna 550 vjet më parë, shqiptarët e ditëve tona pyesin: A i kanë njohur pushtetarët borgjezë, pas viteve `90-të, këto të vërteta të mëdha? Se ata kanë të drejtë të pyesin përsëri: Si ndodhi që “varfanjakët” e djeshëm të socializmit, gjatë këtij çerekshekulli, u bënë milionerë, për të mos thënë u bënë miljarderë?! Se Gjergji ynë, 550 vjet më parë, pat thënë: “Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet”.

Po Heroi ynë Kombëtar, duke i njohur “cilësitë” shpirtërore të shumë “princave” të kohës së tij, shtronte idenë “komuniste” të dëgjimit të “zërit të masave” popullore nga drejtuesit e shtetit. Këtë e bënte kur i porosiste princat shqiptarë: “Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë, ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja”, ide që, jo vetëm antikomunistëve, u kujton “Fletë-rrufetë” e viteve të socializmit, kur secili, pa frikë, shkruante se ç`mendonte për punën dhe për njerëzit në ato vite të lavdishme.
Dhe, si burrë shteti me shpirt të madh, Gjergji Kastrioti e çonte më tej këtë ide, kur i porosiste princat shqiptarë: “Dukuni shpesh mes tyre (mes njerëzve të thjeshtë -shënimi im), bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj. Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran”.

Por kryetrimi ynë e bën më konkret këtë mendimin, kur shton: “Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi,…që t`i frymëzoni besim atij për t’u ndihmuar të korrigjoni abuzimet…”. Dhe shqiptarët e ditëve tona nuk ndjehen mirë kur i ballafaqojnë fjalët amanet të Gjergj Kastriotit me praktikat e pushtetarëve borgjezë, të cilët, zakonisht, shkojnë në gjirin e popullit gjatë fushatave zgjedhore dhe rrallëherë kur janë ulur në fronin e pushtetit.

Si një humanist i madh i përmasave evropiane, edhe pse ishte një ithtar i krishtërimit, Heroi ynë komnëtar shkon më tej se bashkëkohësit e tij, por edhe më tej se disa akademikë të ditëve tona, kur u flet princave shqiptarë kundër paragjykineve, kundër astrologëve dhe “parashikuesve” të fatit, të cilët kanë mbirë si këpurdhat pas shiut në këto mote të pseudodemokracisë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera.
Kjo duket kur ai i orientonte princat të kishin në “vendqeverisjen e vendit” edhe filozofë “të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme”.

Këtë, theksonte në testamentin e tij Gjergj Kastrioti, “le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë”. Dhe i vinte kurorën këtij mendimi me thirrjen: “Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhues ari dhe diamantesh”.

Duke i dëgjuar këto mendime të arta, që na vinë nga thellësia e shekujve, shqiptarët e ditëve tona, me një formim kulturor të nivelit mesatar, pyesin: Po ato televizione e gazeta, që publikojnë me zell “Horoskopin e ditës”, “parashikimin e fatit”, a do ta kenë njohur testamentin e Heroit tonë Kombëtar? Se edhe shkrimtari i madh francez-Viktor Hygo, 400 vjet pas Gjergj Kastriotit, pat shkruar: “Kredhja në besimet fetare ose në tregëti e zvogëlon rrezatimin e një populli, e zvogëlon horizontin e tij, duke e ulur nivelin e tij”. (“Të mjerët”, v. 3, f, 355)
Si në të gjithë veprimtarinë e tij, edhe si politikan, Gjergj Kastrioti vinte në plan të parë çështjen kombëtare.

Nisur nga përvoja e tij në marrëdhëniet me fqinjët, por edhe nga e kaluara më e largët, ai, pasi u thotë princave:
“Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre”, u kujton atyre se fqinjët “do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’u akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashgiminë që po ju lë”. Dhe vitet e shekujt që do të vinin do të dëshmonin vërtetësinë e këtij mendimi: Kongresi i Berlinit më 1878 dhe Konferenca e Londrës më 1913, i copëtuan trojet shqiptare midis “fqinjëve” tanë.

Rrënjët e këtij krimi historik, që iu bë Shqipërisë nga fuqitë e mëdha imperialiste, do t`i zbulonte edhe poeti i madh Sovjetik Vladimir Majakovski në poezinë “Përgjigjuni”, në vargjet e të cilës thuhet: “E lanë në një banjë të përgjaktë njerëzinë, vetëm/ që dikush, diku/, të majmej me Shqipërinë”! (“Vjersha dhe poema”, f, 15)
Pikërisht për këtë, amanetin e Gjergj Kastriotit për çështjen kombëtare duhet ta dëgjojnë me kujdes e përgjegjësi historike politikanët shaiptarë të të dy krahëve të politikës.

Se këtyre u duhet shtruar pyetja: Pse kur ishte Enver Hoxha në krye të shtetit shqiptar Greqia nuk kërkoi as eshtra ushtarësh të vrarë në Shqipëri, as ngritje varrezash për këta ushtarë të vrarë në trojet shqiptare”?! Dhe, për të mos u zgjatur, Shqipëria e ditëve tona është më “e fortë” se në vitin 1879, kur poeti i Rilindjes sonë kombëtare, mirditori Pashko Vasa shkruante:

“Qysh prej Tivarit, deri nPrevezë, Gjithkund lshon dielli vapë dhe rrezë,
Asht toke jona, tpart na e kanlanë,
Kush t`mos na e prekë, se desim të tanë”./Kastriotët.AL

Loading...
Loading...
Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Pilis, “P’lisi” – Etimologji – Magjike gjuha shqipe!

Shkruan: Aleksander HASANAS Dihet e njihet nga të gjithë se kjo lloje Kësule prodhohet krejtësisht …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *