Home / Histori / Miku më i madh i shqiptarëve/ Një portret për presidentin amerikan, Woodrow Wilson

Miku më i madh i shqiptarëve/ Një portret për presidentin amerikan, Woodrow Wilson

Më nëntor 1912, Woodrow Wilson zgjidhet president i 28-të i Shteteve të Bashkuara dhe shërben për dy mandate. Ish-president i Universitetit Princeton, pastaj Guvernator i Nju Xhersit; më 1912, ndahet nga Partia Republikane dhe zgjidhet president si demokrat.

Biografi i tij Arthur Link thotë, se Wilson ishte orator magjepsës gjatë një kohë kur populli amerikan admironte oratorinë mbi të gjitha aftësitë e tjera politike.

Wilson ishte njeri fetar “presbiterian” dhe besonte në ungjillizimin e botës; nga kjo, thonë historianët, lindi edhe “idealizmi wilsionian”, sipas të cilit, Shtetet e Bashkuara duhet të hynin në arenën botërore për të luftuar për demokraci; shpesh kjo ka qenë një pikë e diskutueshme në politikën e jashtme amerikane.

Për sponsorizimin e Lidhjes së Kombeve, Wilson u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1919. Wilson la gjurmë edhe në historinë shqiptare me ndihmën për ruajtjen e ekzistencës së Shqipërisë. Shpesh ai përmendet si lidhja bazë në miqësinë shqiptare – amerikane.

Woodrow Wilson dhe Bill Klinton konsiderohen sot si presidentët amerikanë më popullorë mes shqiptarëve; Wilson për mbrojtjen e Shqipërisë në fillim të shekullit 20-të; dhe Klinton për mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës në fund të po atij shekulli.

Nga Albana M. Lifschin

Në imagjinatën e tij të fëmijërisë, Tomi Uillson kishte krijuar një botë lojërash ku ai ishte kryekomandant që udhëhiqte një ushtri të madhe në vepra heroike.

Shumë, shumë vjet më pas, ndodhi që Tomi të bëhej Udrou Uillson (Woodrow Wilson), president i vendit më të fuqishëm në botë dhe kryekomandant i forcave të armatosura të SHBA.

Nuk dihet nëse ëndrrat e hershme të fëmijërisë ndikuan në të ardhmen e tij drejt rrugës presidenciale, por një gjë është e sigurt që në moshën djaloshare ai e shikonte veten në rangun e admiralit apo gjeneralit.

Në kujtesën për vitet e fëmijërisë Wodroow Wilsoni kishte ruajtur një moment kur ai qëndronte tek porta e shtëpisë duke thirrur” Zoti Linkoln u zgjodh president. Do të kemi luftë!.”

Në moshë të re duke ndjekur gjurmët e familjes ai shkoi të ndiqte një shkollë presbiteriane në Karolinën e Veriut. Si student ai shfaqi dy prirje të cilat e shoqëruan deri në fund të jetës, aftësinë për të debatuar dhe dashurinë për sportin e bejsbollit. Kështu ai hyri në debatet sociale të kohës dhe luajti në skuadrën e bejsbollit.

Gjatë viteve studentore duke zhvilluar këto dy aftësi Tomi Uillson u bë shumë aktiv dhe dalëngadalë filloi të mendonte të ndiqte një rrugë të re duke devijuar nga rruga fetare e trashëguar në familje.

Synimi i tij u bë karriera në pushtetin shtetëror. Ai madje nuk e përdori më emrin Tomi, por në vend të tij Udrou Uillson. Uillsoni hyri në Universitetin e Virxhinias për të studiuar për avokaturë.

Pas mbrojti avokaturën ai ndoqi një universitet tjetër, atë të Hopkinsit në Baltimorë për të hyrë më në brëndësi të politikës dhe artit të qeverisjes. Ai filloi punën si profesor i kësaj fushe, fillimisht në kolegjin Bryer Mawr pranë Filadelfias.

Si profesor, ndërkohë që reputacioni i tij sa vinte e rritej, Udrou Uillson ndërroi disa kolegje. Në 1902 ai u zgjodh president i kolegjit të Princetonit në Nju Xhërsi. Në 1910 ai dha dorëheqjen si president i kolegjit për tu zgjedhur Guvernator i Nju Xhersit.

Në 1912, reformatori Uillson qe kandidat i partisë së vet për zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ditën e inaugurimit presidencial, në 4 mars 1913 Udrou Uillson ishte një burrë i gjatë, i pashëm me një pamje të vendosur. Atë kohë ai ishte 56 vjeç. Kur familja Uillson hyri në Shtëpinë e Bardhë, ajo qe një familje e lumtur.

Dy nga tre vajzat e tij u martuan gjatë asaj periudhe. Uillsoni ishte në formë të mirë dhe ende vazhdonte të mbante gjallë dëshirën për sportin e bejsbollit. Ai ka qenë i pari president që ndoqi serialin botëror të bejsbollit të vitit 1915.

Pas vdekjes se gruas se parë, një vit më pas, u martua me Edit Bolling Gat, një vejushë nga Uashingtoni. Kur plasi lufta e parë Botërore, presidenti Uillson duke shpresuar ta mbante Amerikën jashtë konfliktit lëshoi një deklaratë neutraliteti.

Lufta e paevitueshme

Presidenti Udrou Uillson e urrente luftën me gjithë shpirt dhe ishte i vendosur të ruante neutralitetin e Amerikës. Madje edhe pas mbytjes së Lusitanisë nga gjermanët, me afro 200 qytetarë amerikanë në bordin e saj, kur të gjitha gazetat amerikane ishin mbushur me thirrje për ndëshkim (luftë) ai përsëri u përmbajt.

Presidenti i dërgoi disa mesazhe qeverisë se Kajzerit të mbushura me paralajmërime, duke kërkuar që anijet amerikane të lundronin kudo pa u prekur, në të kundërtën do priste marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë.

Por ndërkohë që SHBA përpiqej të mbante neutralitetin, ambasada gjermane në Washington D. C. ishte kthyer në çerdhe spiunazhi e sabotatorësh.

Ambasadori gjerman kishte në dorë 100 milion dollarë për të “blerë ” kongresmenët amerikanë duke u dhënë nga 50 mijë dollarë secilit. Një nga agjentët e tij më të rëndësishëm ishte Franz von Papen që më pas ndihmoi Hitlerin për të ardhur në fuqi.

Plani i tyre për të korruptuar kongresin amerikan dështoi, por rrjeti i tyre agjenturor e sabotator ishte i shpërndarë në tërë vendin. Sabotatorët e përdorën Amerikën si një laborator ku eksperimentuan luftën bakterologjike.

Kryetari i projektit ishte një gjermano- amerikan doktor në mjekësi me emrin Anton Degler, i cili u kishte ofruar vullnetarisht shërbimin e tij gjermaneve. Në shënjestër u vunë kuajt dhe mushkat që priteshin të ngarkoheshin në anije për aleatët.

Anton Degler vizitoi të gjitha portet amerikane prej nga pritej të transportoheshin këto kafshë për Evropë dhe bëri të mundur infektimin e tyre.

Sabotatorët ishin të specializuar në vendosjen e bombave. Objektet kryesore ishin portet, veçanërisht ai i Nju Jorkut. Akti me i rëndë i sabotazhit ndodhi vetëm disa qindra metra pas Statujës së Lirisë në Black Tom Island. Një sasi e jashtëzakonshme eksplozioni ishte parkuar pranë portit.

Në 30 korrikun e vitit 1916, në orën 2 të mëngjesit një plasje e fuqishme përfshiu tërë portin dhe u dëgjua deri në qindra mile larg në Kenektiket dhe Pensilvani. Pothuaj të gjitha dritaret e qytetit Xhërsi u thyen. Copëza metali binin nga qiejt.

Sabotatorët e Black Tom-it nuk u kapën kurrë. Por dihej që eksplozioni qe kryer nga sabotatorët gjermane dhe qeveria gjermane pas lufte ra dakord të paguante 50 milion dollarë për dëmet e shkaktuara prej tij. Pas eksplozionit, u kërkua largimi i kapitenit Von Papen nga ambasada gjermane.

Veç kësaj Gjermania kishte filluar bisedat me Meksikën duke i premtuar asaj ish territoret e vjetra të Teksasit dhe Arizonës nëse ajo do të mbante anën e Gjermanisë në rast lufte midis kësaj të fundit dhe SHBA.

Në 31 janar, 1917 ambasadori gjerman von Bernstorff i dorëzoi një notë qeverisë amerikane ku thuhej se Gjermania do të fillonte një luftë detare të pakufizuar.

Zona e vdekjes do të përfshinte detrat rreth ishujve britanikë, francezë, Italisë dhe Mesdheut. Çdo anije e aleatëve që do të hynte në këto ujra do të goditej pa asnjë paralajmërim nga nëndetëset gjermane. Kajzeri gjerman sidoqoftë bënte një “lëshim” për SHBA.

Një anije amerikane në javë, por vetëm një, mund të lundronte për në Angli nëse do t’i bindej disa rregullave të caktuara prej tyre. Presidenti Uillson e lexoi këtë mesazh dhe e rilexoi pa u besuar syve dhe tha me zë të ulët: ‘Kjo do të thotë luftë’.

Në mbrëmjen me shi të 2 Prillit 1917 presidenti amerikan, në limuzinën e tij shkonte drejt Kapitolit, për të mbajtur fjalimin e tij historik në Kongresin amerikan duke deklaruar se lufta qe bërë e paevitueshme, në emër të ruajtjes se paqes dhe demokracisë në botë.

“Ne nuk kemi asnjë dëshirë për pushtim apo dominim.. nuk është gjë e lehtë të udhëheqësh këtë popull të madh e paqedashës në luftë.

Por e drejta është më e çmueshme se paqja dhe ne duhet të luftojmë për ato gjëra që janë të shtrenjta për ne.. Sot ka ardhur dita që Amerika të derdhë gjakun për parimet të cilat i dhanë asaj jetën, lumturinë dhe paqen që ajo ruan… Zoti e ndihmoftë!”

Në 6 prill 1917, Kongresi amerikan i shpalli luftë Gjermanisë. Kur Amerika hyri në Luftën e parë Botërore, zhvillimi i operacioneve luftarake të deriatëhershme, nuk fliste për fitore të forcave aleate.

Në të kundërt forcat aleate kishin pësuar humbje të rënda, sidomos në lindje. Për më tepër Rusia qe larguar nga teatri i luftës. Revolucioni bolshevik solli në pushtet komunistët me në krye Leninin i cili nënshkroi paktin e paqes me Gjermaninë.

Në Evropë çdo muaj zbarkonin rreth 300 000 trupa të freskëta amerikane. Gjatë Luftës së Parë Botërore u dërguan më tepër se dy milion trupa amerikane.

Gjenerali Xhon Përshing ishte instruktuar nga qeveria t’i mbante forcat si një formacion i vetëm jo ti shpërndante ushtarët amerikane nën komandën e gjeneralëve të huaj. Hyrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftë i dha kthesë vendimtare ngjarjeve dhe vendosi fatin e saj në favor të aleatëve.

Në 11 Nëntor 1918 Gjermania u dorëzua. Mbarimi i luftës u shënua me Traktatin e Versajës. Presidenti Uillson ka qenë i pari president i Shteteve të Bashkuara që ka shkuar në Evropë për të hartuar një traktat paqeje.

Ai e shpalosi vizionin e tij për botën e pasluftës në ato që u quajtën 14 pika, ndër të cilat ishin eliminimi i marrëveshjeve të fshehta ndërkombëtare, garancia e lirisë së detrave, reduktimi i armatimit, krijimi i Lidhjes së Kombeve që do të garantonte paqen në botë.

Firmosësit e traktatit u bënë anëtarë të Lidhjes së Kombeve. Presidenti Uillson u tha ”ndal” traktateve të fshehta duke shpëtuar Shqipërinë nga planet copëtuese të fqinjëve të saj, që gëzonin mbështetjen e fuqive të mëdha të Evropës.

Kur u kthye në Amerikë me Traktatin e Versajës, ai ndeshi në kundërshtimin e senatit amerikan që e refuzoi paktin e firmosur nga presidenti. Opozitën e udhëhiqte republikani Henri Kabot Loxh (Henry Cabot Lodge) nga shteti i Masaçusets. Presidenti Uillson ndërmori një udhëtim në tërë vendin duke mbajtur fjalime në mbështetje të traktatit të paqes.

Së fundi, tepër i lodhur, në vjeshtë të vitit 1919, presidenti Uillson pësoi hemorragji cerebrale që e la të paralizuar në krahun e majtë. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore në këto kushte gjatë vitit të fundit të presidencës, kontaktet e tij me njerëzit bëheshin nëpërmjet së shoqes. Sipas disa gazetarëve të asaj kohe, e shoqja, Editi, po bënte praktikisht punën e presidentit.

Pavarësisht, nga shqetësimet që iu krijuan në vend, bota e njohu dhe vlerësoi rolin e tij udhëheqës për paqe.

Në 1920 Presidenti Uillson u shpërblye me çmimin Nobel për Paqe dhe renditet ndër presidentët e mëdhenj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për popullin shqiptar ai mbeti miku i tij i paharruar.

Presidenti Uillson vdiq në shkurt të vitit 1924, në moshën 67-vjeçare.

(Marrë nga libri i autores “Udhëtim në Historinë e Amerikës, botuar 2003, ribot.2006.2010)

Loading...
Loading...
Loading...
Loading...

Shiko poashtu

Pilis, “P’lisi” – Etimologji – Magjike gjuha shqipe!

Shkruan: Aleksander HASANAS Dihet e njihet nga të gjithë se kjo lloje Kësule prodhohet krejtësisht …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *